Fjalorth

Të ardhurat e përgjithshme

Të ardhurat e përgjithshme (ose totale) tregojnë shumën e të ardhurave të grumbulluara nga taksat dhe jo-taksat, transfertat nga qeveria qëndrore, huatë dhe të ardhurat e tjera të gjeneruara nga aktivitetet ekonomike të bashkisë/komunës, të ardhurat nga qeratë dhe shitjet, dhe donacionet e tjera, si dhe të ardhura nga interesat bankare dhe gjobat.

Të ardhurat nga burimet e veta

Komunat dhe bashkitë gjenerojnë të ardhura nga: taksat lokale dhe taksa mbi pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme si dhe transaksionet lidhur me to; taksat dhe të ardhurat nga aktiviteti i biznesit të vogël dhe hoteleve, rezidencave, restoranteve, bareve dhe shërbimeve të tjera; taksat vendore mbi të ardhurat personale të gjeneruara nga donacionet, testamentet apo llotaritë lokale. Gjithashtu bashkitë dhe komunat gjenerojnë të ardhura nga tarifat vendore për:

  • shërbimet publike të ofruara prej tyre
  • të drejtës për përdorim të hapësirave publike
  • dhënies së liçensave, lejeve, autorizimeve dhe dokumentacioneve të tjera të lëshura nga zyrat e qeverisë vendore
Të ardhurat e veta të vazhdueshme

kjo kategori përfshin të gjithë të ardhurat nga taksat dhe tarifat vendore që mund të grumbullojë një njësi e qeverisjes vendore të ndara si më poshtë:

Taksa e biznesit të vogël
Taksa e biznesit të vogël deri në vitin 2013 mblidhej nga autoriteti i qeverisjes vendore për të gjitha ato biznese të cilat operojnë në kufirin administrativ të njësisë vendore. Çdo entitet i cili, gjatë një viti fiskal, gjeneron xhiro vjetore më pak apo deri në 8 milion lekë, është subjekt i tatimit të taksës së biznesit të vogël (pas vitit 2013, taksës mbi fitimin e biznesit).
Taksa mbi tokën bujqësore
Taksa mbi tokën bujqësore është pjesë e taksës mbi pasurinë e paluajtshme. Çdo person fizik apo juridik, shtetas apo i huaj, i cili zotëron një pronë në territorin e Shqipërisë është subjekt i taksës mbi pasurinë e paluajtshme. Barra e kësaj takse bie mbi pronarin ose bashkëpronarin, në varësi të pjesës që secili zotëron. Baza e kësaj takse është sipërfaqja e tokës bujqësore në hektarë (ha). Sipërfaqja e tokës përcaktohet sipas dokumentacionit përkatës mbi pronësinë.
Taksa mbi ndërtesën
Taksa mbi ndërtesën është pjesë e taksës mbi pasurinë e paluajtshme. Çdo person fizik apo juridik, shtetas apo i huaj, i cili zotëron një pronë në territorin e Shqipërisë është subjekt i taksës mbi pasurinë e paluajtshme. Barra e kësaj takse bie mbi pronarin ose bashkëpronarin, në varësi të pjesës që secili zotëron. Baza e kësaj takse është sipërfaqja e ndërtimit në metra katrorë e pronës, mbi dhe nën tokë. Sipërfaqja e pronës përcaktohet sipas dokumentit përkatës mbi pronësinë. Të ardhurat e gjeneruara nga kjo taksë, i përkasin 100% bashkisë apo komunës në të cilën mblidhet taksa
Taksa e Hotelit
Baza e taksës për akomodimin në hotel, llogaritet në bazë të çmimit të akomodimit, sipas rastit për person apo për dhomë. Niveli i taksës është 5% e çmimit të akomodimit, ku barra e taksës bie mbi klientin. Kjo taksë mblidhet nga hoteli, në emër të bashkisë apo komunës, në territorin e së cilës ndodhet hoteli. Taksa e hotelit përcaktohet në çdo faturë të lëshuar, mbi çmimin përkatës për akomodim.
Taksa e ndikimit në infrastrukturë për ndërimet e reja
Baza e taksës është vlera në lek (ALL) e investimit të kryer. Niveli i taksës shprehet si përqindje e vlerës së investimit e cila varion nga 1% – 3 % të shumës. Vetëm në rastin e Tiranës kjo vlerës shkon nga 2% - 4%. Barra e taksës bie mbi investitorin, dhe mblidhet nga institucioni përgjegjës për dhënien e lejeve në emër të bashkisë apo komunës në të cilën do të kryhet investimi. Vetëm në rastet kur investimi i kryer, shtrihet në territorin e më shumë se një njësie vendore, apo afekton infrastrukturën e një njësie tjetër, taksa ndahet në mënyrë proporcionale në bazë të vlerës së investimit në secilën njësi vendore, apo peshës së impaktit të secilës. *Perjashtim nga kjo taksë bëjnë projektet infrastrukturore, ndërtimi i autostradave kombëtare, porteve, aeroporteve, tuneleve, ndërtimi i infrastrukturave energjitike, ku taksa e ndikimit në infrastrukturë përbën vetëm 0.1% të vlerës së investimit, por jo më pak se kostoja e rehabilitimit të infrastrukturës së dëmtuar.
Taksa mbi kalimin e së drejtës së pronësisë
kjo taksë aplikohet në të gjithë ndërtesat dhe pasuritë e paluajtshme në momentin e kalimit të së drejtës së pronësisë, nga një pronar në tjetrin. Taksa paguhet nga përsoni i cili kryen kalimin në momentin përpara regjistrimit të saj. Baza e taksës mbi kalimin e së drejtës së pronësisë është sipërfaqja e ndërtesës së cilës i transferohet pronësia
Taksa e regjistrimit të automjeteve
Baza e taksës është tipi i automjetit të transportit rrugor. Niveli i taksës është i shprehur në formën e një vlere sipas llojit të automjetit. Barra e taksës bie mbi pronarin e automjetit dhe grumbullohet nga Drejtoria e Përgjithshme e Transportit Rrugor, përpara kryerjes së kontrollit teknik vjetor të automjetit.
Taksa për zënien e hapësirave publike
niveli i tarifës për zënien e hapësirave publike përcaktohet nga këshilli bashkiak apo komunal. Taksa llogaritet si një detyrim mujor ndaj individit i cili ka zënë hapësirën publike, kjo e fundit e llogaritur në metra katrorë të sipërfaqes së zënë.
Taksa e Tabelës
Taksa e tabelës aplikohet për të gjitha subjektet të cilët vendosin emërtimin e subjektit në pamjen ballore të njësisë ku zhvillojnë veprimtarinë, në hapësira të tjera publike ose private, qofshin këto të lëvizshme ose të palëvizshme dhe që shërbejnë për qëllime reklamimi. Niveli i kësaj takse përcaktohet nga Këshilli Bashkiak, dhe vlera e taksës nuk duhet të jetë më shumë se 10% e nivelit të taksës së biznesit të vogël.
Tarifa e pastrimit
Tarifës së pastrimit i nënshtrohen të gjithë familjet, personat fizikë ose juridikë, vendas ose të huaj, që banojnë dhe ushtrojnë veprimtari ekonomike ose jo brenda territorit të njësisë së qeverisjes vendore. Përgjithësisht kjo tarifë i referohet s hërbimit të grumbullimit të mbetjeve të ngurta dhe pastrimit të rrugëve të qytetit.
Transferta e pakushtëzuar

Transferta e pakushtëzuar është fondi që i jepet pushtetit vendor nga Buxheti me qëllim kryerjen dhe përballimin e funksioneve dhe veprimtarive të tij. Shpërndarja e këtyre fondeve kryhet me anë të një formule, e përcaktuar në ligjin e Buxhetit, e cila përcakton shumën që alokohet, mbështetur në dy variabla kryesore : popullsinë dhe shërbimet publike.

Transferta e kushtëzuar

Transferta e kushtëzuar është fondi që i jepet pushtetit vendor nga Buxheti, i cili duhet të përdoret vetëm për qëllimin dhe sipas rregullave të vendosura nga qeveria qëndrore.

Totali i Shpenzimeve

është shuma e shpenzimeve të vazhdueshme (korrente) dhe kapitale të kryera nga njësia e qeverisjes vendore.

Shpenzimet sipas Klasifikimit ekonomik

Shpenzimet korrente përbëjnë shumën e të gjithë shpenzimeve operative dhe të mirëmbajtjes, që kryen një njësi vendore për një periudhë të caktuar kohore, dhe përfshin kostot e vazhdueshme të njësisë për përmbushjen e funksioneve të përditshme. Shpenzimet sipas klasifikimit ekonomik do të përfshijnë si më poshtë:

  • Shpenzime për pagat
  • Shpenzimet për Sigurimet Shoqërore
  • Shepenzimet Operative
  • Grantet
  • Pagesat e interesit
Shpenzimet kapitale

Janë shpenzimet që kryen njësia e qeverisjes vendore për blerjen e aseteve të reja, apo riparimin e atyre të mëparshme dhe jetëgjatësia e të cilave shkon përtej një viti fiskal. Një tjetër klasifikim i kësaj kategorie shpenzimesh është, dhe ai i funksionit apo programeve ku do të renditeshin shpenzime në fushat si mëposhtë:

  • Për shërbime të përgjithshme publike
  • Për ujësjellës dhe kanalizime
  • Transport
  • Turizëm
  • Çështje ekonomike
  • Strehim
  • Shërbime shëndetësore
  • Kulturë dhe sport
  • Edukim
  • Mbrojtje Sociale